Mini-maratona “Vrapo për autizëm 2022”, do të mbahet me datën 3 korrik, të këtij viti, nga ora 09:00, ndërsa pikënisja do të bëhet nga sheshi ‘Skënderbe’ dhe ka për qëllim ndihmesën e fëmijëve me autizëm.E organizuar nga OJQ -ja “Replay Peace” dhe e përkrahur nga disa komuna, organizata vendore dhe ndërkombëtare, “Vrapo për autizëm 2022”, organizohet dhe për nder të pavarësisë së SHBA-ve.
Pikërisht për këtë organizim, Radio KFOR-i ka kontaktuar përfaqësuesin e OJQ-së “Replay Peace”, z. Burim Krasniqi, i cili tregoi për kauzën e aktivitetit në fjalë: “Qëllimi i mini-maratonës është që fëmijët me autizëm të përkrahen në shumë forma. Nevojat e tyre janë të shumta, por ne besojmë se me këtë mini-maratonë do mundohemi sadopak t’iu dalim në përkrahje dhe ti nxisim edhe të tjerët që të ndërmarrin aktivitete të ndryshme, për të përkrahur këtë kategori, por edhe të na bashkëngjiten.”
Më tutje zotëri Krasniqi tregoi se me datat 1 qershor, 13 qershor, 20 qershor, 27 qershor dhe 2 korrik, organizatorët e mini-maratonës “Vrapo për autizëm 2022” do të jenë pranë “Teatrit Kombëtarë”, për të shitur numra për të gjithë ata që duan të jenë pjesëmarrës të mini-maratonës. Duke blerë një biletë, ju do të kontribuoni direkt për fëmijët me autizëm, të cilët kanë nevojë për përkrahjen e të gjithëve.







