Stinët pranverë dhe verë, janë stinët ideale për të eksploruar natyrën, për të zhvilluar aktivitete rekreative, për t’i kontribuar shëndetit tonë dhe për të parë bukuritë që ka natyra. Prandaj, muajin maj, Radio KFOR-i ia ka dedikuar kampanjës #hikingk4 , përmes së cilët shpalosim tek dëgjuesit qindra aktivitete rekreative, për të gjitha moshat.
Ditën e sotme, 12 maj, në kuadër të programit ‘MËNGJESI ME TY’, kemi kuptuar se cilat janë disa nga aktivitetet në natyrë për më të vegjlit tanë-fëmijët, e për këtë temë, në studio ftuam një nga themeluesit e “Lazdrohu Sport Kids”, z. Rinor Zuka: “Kosova është vend shumë i bukur dhe ngado që shikojmë hasim në bukuri natyrore, të cilat mund t’i eksplorojmë por në të njëjtën kohë edhe t’i ruajmë ato. Aktivitetet tona gërshetojnë eksplorimin e natyrës, mbrojtjen e natyrës, shëndetin e fëmijëve, largimin e tyre nga përdorimi i tepruar i teknologjisë e shumëçka tjetër. Këtë vikend nëse kushtet atmosferike do të jenë në anën tonë, do të realizojmë ecje më fëmijë në Shalën e Bajgorës. Ky është një projekt i mbështetur nga UNDP-ja, e veç ecjes do të realizojmë edhe aktivitete të tjera rekreative. Qëllimi i këtyre organizimeve me fëmijë, është edhe kultivimi i mbrojtjes së natyrës. Ne gjatë ecjeve së bashku me fëmijët largojmë edhe mbeturinat e hedhura në natyrë, ndërkohë tash kemi filluar që në vend të plastikës, shumicën e mjeteve që i përdorim janë ekologjike. Sa i përket moshës së fëmijëve pjesëmarrës ata variojnë nga 4 vjeç e tutje, gjithmonë duke pasur parasysh edhe terrenin që vizitojmë, ne i ndajmë në grup mosha të caktuara.
Zuka gjithashtu na njoftoi se janë në përfundim të kalendarit dhe se do të kenë aktivitete të shumta për fëmijë në javët në vazhdim. Po ashtu, ai bëri të ditur se do të organizojnë kamping në Jalë, në korrik të këtij viti dhe ky do të jetë edicioni i dytë ku fëmijët do të kenë mundësi veç tjerash të jenë pjesëmarrës të shumë aktiviteteve në det.