Të qëndroni në formë mund të jetë sfiduese, por është diçka që të gjithë duhet ta bëjmë për të ruajtur shëndetin tonë. Ekspertët e shëndetit thonë se vetëm pak aktivitet fizik siç është ecja, sjell jo pak përfitime shëndetësore, e kjo është e vërtetuar shkencërisht.
Edhe Radio KFOR-i, ka filluar muajin maj 2022, me kampanjën #Kupoecim dhe për tu njohur me përfitimet e ecjes në natyrë, ka kontaktuar z. Rinor Zuka, i cili është adhurues i natyrës dhe bënë ecje të shpeshta nëpër vende të bukura të Kosovës: “Ecja është një aktivitet nga i cili përfiton organizmi i njeriut. Ecja zvogëlon ndjenjën e urisë për pothuajse të gjitha produktet e ëmbla. Pastaj është vërtetuar se çfarëdo forme e aktivitetit fizik, ka efekte pozitive kundër kancerit të gjirit, gjithashtu ecja mund të ndihmojë edhe në parandalimin e viruseve sezonale.
Tutje z. Zuka tha gjithashtu, se nëse ecja ndihmon në përmirësimin e simptomave të depresionit tek personat me depresion, imagjinoni se sa mirë bën ajo në përballimin e situatave të vështira në jetë. Një shëtitje me një mik apo me një person të dashur mund të përmirësojë në mënyrë të dukshme humorin e një personi.