Zhdukja e pyjeve në të gjithë botën, po dërgon alarm se humbja e këtyre burimeve natyrore mund të sjellë katastrofë për planetin tonë.
Kryetari i shoqatës së Klubit Alpin Prishtina Z. Nazmi Hasanramaj, i cili viziton shumë shpesh pyjet në Kosovë, në një prononcim për Radio KFOR-in foli për gjendjen e pyjeve tona: “Sigurisht kjo është një temë që është diskutuar shumë edhe njerëzit që nuk dalin në male, kanë fillu me e kuptu situatën shkatërruese të tyre. Ne i vizitojmë shpesh pyjet tona dhe qasja jonë ndaj pyjeve është pozitive. Ne nuk dëmtojmë asgjë, gjithmonë mundohemi me i ruajt pasuritë tona pyjore, ndërsa sa i përket drurëve, pyjet tona janë të shkatërruara, sepse njerëzit këtu më së shumti i përdorin drunjtë për djegie. Por, vlen edhe të theksohet fakti se nuk ka pyllëzime sa duhet dhe fondi i drurëve mbetet në gjendje të mjerueshëm. Porosia ime si alpinist do të ishte, që të kemi më shumë kujdes dhe të bëjmë mirë për vendin ku jetojmë, në fashat apo në qytet. Të mbjellim sa më shumë gjelbërim, fidanë dhe ta ruajmë ambientin, sepse çdo vit situata e pyjeve të Kosovës po shkon duke u rëndu.”
Mbrojtja e pyjeve të botës duhet të jetë prioriteti i secilit njeri, në luftën kundër ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike.