Nga dita në ditë, të gjithë po ndjehemi pak a shumë të çliruar, sa herë që po përmendet virusi CoViD-19. Kjo, për faktin që ditëve të fundit në vazhdimësi kemi pasur rënie të numrit të të infektuarve me këtë virus. Se gjendja është shumë paksa më stabile, e tha për Radio KFOR-in edhe Specialisti i Pulmologjisë, Dr. Besim Morina: “Është stabilizuar gjendja me CoViD-19, tanimë veç po shkojmë drejt normalitetit, aty-këtu kemi raste post-kovid që vijnë dhe kanë nevojë për trajtim. Por, e rëndësishme është që rastet e reja të të infektuarve me CoViD-19, janë rralluar së tepërmi krahasuar me disa javë më parë dhe ne po ndihemi sikurse jemi kthyer në normalitet në gjendje pothuajse para pandemisë. Tanimë janë rikthyer edhe ekzaminimet e zakonshme, trajtimet e zakonshme të sëmundjeve, kështu që kemi një lehtësim shumë më të madh në periudhën e fundit, pasi aktualisht nuk jemi duke u përballur me problematikat me të cilat jemi përballë kohëve të fundit.”
Sipas raportit të 24 orëve të fundit, i publikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, bëhet e ditur se 41 persona kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19, ndërsa janë shënuar 3 raste të vdekjes.