7 Marsi, njihet si ‘Dita e Mësuesit’ dhe shënohet për të kujtuar dhe vlerësuar mësuesit për misionin e tyre të shenjtë, përkushtimin e tyre në mësimdhënie në përgatitjen dhe edukimin e brezave të ardhshëm.
Për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i intervistoi mësuesen me përvojë 21 vjet, zonjën Lumnije Latifaj, e cili na tregoi se të qenurit mësues është një mrekulli: “Unë jam nënë dhe përkushtimin tim, para profesionit, e bëj si një nënë që ia do të mirën fëmijës së saj. Ne si mësimdhënës, duhet të përkushtohemi ndaj të rinjve, në mënyrë që të krijojmë një shoqëri përparimtare. Mund të them se profesioni i mësuesit është i vlefshëm, e kur bëhet me vullnet ky profesion është madhështor!”
‘Dita e Mësuesit’ kremtohet kryesisht në shkolla, me koncerte dhe aktivitete të ndryshme. Shënimi i kësaj dite përkon me hapjen e mësonjëtores së parë shqipe, e cila u hap në muajin mars të vitit 1887, në Korçë.