Ndërmarrja Publike ‘Termokos’, është e vetmja ndërmarrje që furnizon mijëra konsumatorë me ngrohje në Prishtinë. Gjatë vitit 2020, ka pasur rritje të sipërfaqes ngrohëse për 8.38 % më shumë se sa në vitin 2019. Për të mësuar më shumë rreth planeve strategjike të kësaj ndërmarrje për të zgjeruar shërbimet e tyre, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me zëdhënësen e Termokosit, znj. Afërdita Uka Fejzullahu, e cila tregoi rreth zgjerimit të rrjetit ngrohës dhe për projektet e tyre: “Termokos, furnizon me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore rreth 16 mijë konsumatorë, të shpërndarë nëpër disa lagje të urbanizuara të Prishtinës. Në përpjekje për të përmbushur misionin tonë si kompani, Termokos, në vazhdimësi me kapacitetet ekzistuese dhe falë përkrahjes së donatorëve ndërkombëtarë, është duke realizuar projekte për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes dhe furnizimin me ngrohje për sa më shumë kryeqytetas. Me projektin për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, që është në realizim e sipër, falë përkrahjes nga Banka Gjermane për Zhvillim dhe Qeveria e Luksemburgut, në rrjetin e ngrohjes për herë të parë do të kyçen rreth 7.500 konsumatorë të rinj, përkatësisht një pjesë e objekteve banesore në lagjen ‘Mati 1’ (përreth rrugës “Muharrem Fejza”), një pjesë e objekteve kolektive të lagjes ‘Arbëria’ si dhe disa ndërtesa tek Parku i qytetit. Ndërkaq, tanimë janë zotuar mjetet edhe për projektin ‘Energjia solare për Kosovën/ Solaret e mëdha të Prishtinës’, nëpërmes të cilit do të sigurohet ngrohje edhe për një pjesë të lagjes ‘Arbëria’ dhe ‘Tophane’.
Nga kjo intervistë mësuam po ashtu se të gjitha planet dhe projektet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes janë në harmoni të plotë me Master planin për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, i cili është hartuar në fillim të vitit 2018, nga ekspertë gjerman.