Situata me Covid-19 javëve të fundit në Kosovë, ka rezultuar me numër të lartë të infektimeve. Policia e Kosovës që nga fillimi i pandemisë në përputhshmëri me vendimet mbi parandalimin e Covid-19, ka shqiptuar gjoba për të gjithë personat dhe bizneset që nuk kanë respektuar masat anti-covid. Rreth punës së tyre gjatë kësaj kohe dhe statistikave të gjobave të shqiptuara, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me zyrtarin e Policisë së Kosovës, z. Daut Hoxha, i cili ndër të tjera tha: “Policia e Kosovës sipas kompetencave të saj ligjore në funksion të parandalimit dhe luftimit të pandemisë COVID 19, bazuar në vendimet e institucioneve të Kosovës si dhe referuar planifikimeve operacionale, të gjitha aktivitetet dhe masat i ndërmerr sipas vendimit të Qeverisë, në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante, konform angazhimeve dhe detyrave sipas planit të paraparë. Nga data 26.08.21, deri me 1 shkurt 2022, nga Policia e Kosovës janë shqiptuar mbi 322 mijë gjoba apo fletëparaqitje sipas ligjit, për parandalim dhe luftim të Covid-19.”
Po ashtu, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët dhe institucionet pa dallim, që masat dhe kufizimet e përcaktuara nga autoritetet kompetente, të respektohen me përpikëri me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit dhe ruajtjen e shëndetit publik.