Prishtina do të jetë nikoqire e konferencës së parë muzikore “Prishtina Music Conference”(PMC), e cila do mbahet në Kino Armata, në datat 3 dhe 4 dhjetor, 2021. Sipas një njoftimi për media nga kompania Rave, njëherit organizatore e kësaj konference, slogan i këtij edicioni është përzgjedhur “Vesht’ kanë sy, shohin, gjykojnë e nuk harrojnë” dhe aty gjithashtu shpaloset orari i programit të PMC-së. Organizatorët njoftojnë se programi do të jetë i pasur, me tema specifike por gjithëpërfshirëse dhe i tëri do të jetë në gjuhën angleze, ku i ftuar do të jetë babai i njërës nga artistet më të njohura në gjithë botën, Dukagjin Lipa, i cili do të flas për projektet e tij dhe se si e sheh ai të ardhmen e muzikës në Kosovë dhe në rajon. Biletat për pjesëmarrje do jenë falas dhe përveç mysafirëve të ftuar special, biletat do shpërndahen edhe me datën 3 dhjetor, prej orës 11:00, në dy shtëpiza që do të vendosen afër Kino Armatës. PMC fillon të premten, në orën 12:00, me një performancë me piano nga Medina Surdulli, në Teatrin Kombëtar, pasuar nga një ekspozitë/prezantim nga Dragan Kitanov, në Paper Gallery nga ora 13:00.
Në Kino Armata, konferenca muzikore do të nisë me performancën e Agenda for Hope, ndërsa paneli i diskutimit fillon nga ora 17:00, me një prezantim të rrallë rreth shijes dhe kulturës ekonomike nga pikëpamja e profesorit, Hedon Blakaj, nga Universiteti Aalto, në Helsinki të Finlandës. PMC do të përmbyllet të shtunën (04.12.21), me një performancë double-bass, nga Adam Ben Ezra dhe njëherit kjo do të jetë performanca e vetme me pagesë, ku biletat mund t’i merrni tek faqja tashmë e mirënjohur e Rave Travel.