Çdo vit, me 2 nëntor, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), Qeveritë anëtare të OKB-së, organizatat mbrojtëse të lirisë së shtypit dhe ato për të drejtat e gazetarëve, shënojnë ‘Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve Kundër Gazetarëve’.
Është një ditë që bota i kushton vëmendje krimeve të dhunshme kundër gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias, në përgjithësi. Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), me qendër në Vjenë, ka bërë të ditur se mosndëshkimi me të cilin kryhen krimet kundër gazetarëve, anë e mbanë botës, vazhdon të rritet edhe këtë vit, pasi qeveritë e ndryshme kanë dështuar të hetojnë krimet që bëhen dhe janë bërë kundër gazetarëve.
Sipas burimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe enteve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare të cilat merren me mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë së fjalës, gjatë 14-viteve të fundit, janë vrarë rreth 1500 gazetarë, vetëm e vetëm, se kanë kryer detyrën e tyre, duke raportuar lajme dhe duke informuar publikun.
Këtë vit, ngjarja kryesore për të shënuar ‘Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve Kundër Gazetarëve’, do të jetë një tryezë e rrumbullakët e nivelit të lartë të formatit hibrid, organizuar nga ‘Ossigeno per l’informazione’, mbështetur nga UNESCO, që do të mbahet nesër me 3 nëntor, në Sirakuza të Italisë.