Halloween festohet në pothuajse gjithë botën dhe daton para 2 mijë vitesh. Kjo festë ishte krijuar nga keltët të cilët jetonin në Irlandë e në Britani të Madhe dhe festohej në fillim të muajit nëntor me emrin Samhain, derisa tani festohet pikërisht në datën e sotme, me 31 tetor.
Keltët besonin se në këtë ditë, komunikimi midis botës së të gjallëve dhe të vdekurve ishte i mundur dhe të vdekurit do të riktheheshin sërish në jetë. Tradita e veshjeve me kostume të frikshme dhe maskave që bënin të mos identifikohej një person, daton qysh 2 mijë vite më parë.
Një tjetër ritual i Halloween-it, përfshinte shikimin në pasqyrë në mesnatë nën dritën e qiririt, sepse sipas besimeve kelte, thuhej se do të ju shfaqej fytyra e një burri apo gruaje që e keni fat të jetës. Po ashtu, një traditë tjetër gjatë kësaj nate është të sfidoni vetën dhe të shikoni filmat më të frikshëm të krijuar ndonjëherë.
Në Amerikë, kjo festë është shumë e njohur dhe festohet me dekorime të shumta, kostume të ndryshme dhe fëmijët shkojnë shtëpi për shtëpi, për të kërkuar karamele.
Halloween njihet gjithashtu si një festë ku amerikanët shpenzojnë shuma të mëdha të parave. Sipas Federatës Kombëtare të Shitjes me Pakicë, në Amerikë, në vitin 2020, shpenzimet gjatë festës së Halloween kishin arritur në 8 miliardë dollarë.