Për të gjithë fëmijët që dëshirojnë të argëtohen dhe të mësojnë për balet, këndim dhe vallëzim modern, ‘Komuna e Prishtinës’ në bashkëpunim me Shkollën e Muzikës, Artit dhe Baletit ‘Melody’, në Prishtinë, kanë organizuar punëtori pa pagesë, që përfshin të gjitha këto fusha për fëmijët nga mosha 5 deri në moshë 15 vjet. Aktiviteti do të zhvillohet nga data 29 tetor deri me 31 tetor dhe të gjithë të interesuarit mund të marrin pjesë në këto aktivitete, duke rezervuar vendin e tyre në numrin 043 705 900. Rreth kësaj mundësie fantastike, Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me udhëheqësen e shkollës ‘Melody’, Yllka Shyti, e cila tregoi për qëllimin dhe përfshirjen e fëmijëve të të gjitha komuniteteve, në këto aktivitete: “Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, po organizojmë punëtorinë ‘Përfshirja e fëmijëve në aktivitete jashtë kurrikulare. Qëllimi kryesor është ofrimi i një ore pa pagesë, për aktivitete të ndryshme që të ju dhurojmë fëmijëve një përvojë unike dhe argëtuese, duke pasur parasysh që kemi kaluar një periudhë të vështirë gjatë pandemisë dhe fëmijët kanë nevojë për pak argëtim, duke qenë afër arteve të bukura siç janë: vallëzimi modern, baleti dhe këndimi. Ne inkurajojmë të gjithë fëmijët nga të gjitha komunitetet në Kosovë, që të bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve.”
Punëtoria do të realizohet duke i respektuar të gjitha masat anti-COVID dhe për këtë arsye edhe numri i fëmijëve pjesëmarrës është i limituar. Aktiviteti do të mbahet në ambientet e shkollës ‘Melody’, që gjendet në lagjen Kalabria, në Prishtinë. Fëmijët mund të bëhen pjesë e këtij aktiviteti edhe duke plotësuar formën e mëposhtme online: