Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i gruas, nuk janë vetëm gjëja e duhur që duhet të arrijnë shoqëritë botërore, por janë vendimtare për një botë të drejtë, pa dallime dhe një ambient paqësor. Duke lartësuar kontributin e madh që kanë gratë e viseve rurale për të siguruar një botë pa uri e varfëri, Kombet e Bashkuara datën e sotme, 15 tetor, e kanë ndarë për shënimin e “Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale”. Në shënimin e kësaj dite, Radio KFOR-i ka intervistuar Drejtoreshën e ‘Kooperativës Bujqësore – Krusha’, Fahrije Hoti, e cila tha: “Angazhimi i gruas në agrokulturë, nënkupton fuqizim ekonomik jo vetëm të gruas por edhe të vendit, pastaj ky angazhim prodhon pavarësi ekonomike të gruas dhe gjenerim të të ardhurave në familje. Pastaj gratë, janë dëshmuar që janë më të suksesshme në menaxhim të financave, andaj angazhimi tyre do të ketë të mira të gjithanshme. Unë personalisht, kam filluar me biznes në agrokulturë individualisht, ndërsa sot kemi një staf të zgjeruar, ku në kuadër të ‘Kooperativës Bujqësore – Krusha’, janë të inkuadruara mbi 70 gra.”
Sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara, mesatarisht, gratë përbëjnë më shumë se 40 përqind të fuqisë punëtore bujqësore në vendet në zhvillim, megjithatë ato përballen me diskriminim të konsiderueshëm kur bëhet fjalë për pronësinë e tokës dhe blegtorisë, pagën e barabartë, pjesëmarrjen në vendimmarrje, etj.