Në kohën kur po vazhdojmë të përballemi me pandeminë “Covid-19’’, vaksinimi vazhdon të mbetet mundësia e vetme e imunizimit nga virusi në fjalë. Së fundmi, Zyra e #UNICEF-it, Ministria e Shëndetësisë dhe Posta e Kosovës promovuan pullat postare “Vaksinohu – Shpëto Jetë!”, me qëllim të ngritjes së rëndësisë së vaksinës #COVID19, posaçërisht në mesin e nënave gjidhënëse dhe shtatzëna, mësuesve dhe të rinjve. Edhe popullata e Kosovës është vetëdijesuar tashmë për efektet pozitive që ka vaksinimi, prandaj tashmë ka tejkaluar pothuajse të gjitha shtetet e Evropës Juglindore.
Më shumë rreth kësaj çështjeje, na flet Drejtori i Informimit dhe Specialisti i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Dr. Faik Hoti: “Falë angazhimit të pashoq të mjekëve dhe infermierëve tanë në luftën kundër pandemisë dhe falë besimit të qytetarëve, vendi ynë për 6 muaj i ka tejkaluar pothuajse të gjitha shtetet e Evropës Juglindore me përqindje të popullatës së vaksinuar, qëndrojmë shumë mirë në këtë aspekt. Unë vetëm njoftoj qytetarët që tashmë janë vaksinuar me 2 doza, që të shkarkojnë certifikatën elektronike të vaksinimit nga platformat on-line dhe eKosova, duke ndjekur procedurën pothuajse të ngjashme sikurse të caktimit të terminit për vaksinë. E tëra që duhet të bëni, është të klikoni tek rubrika “Pasaporta elektronike e Vaksinimit” ose përmes skanimit të QR kod-it dhe aty do ju shfaqet opsioni “Shkarko”, përmes të cilit shkarkoni certifikatën’’, njoftoi Dr. Hoti.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të mos bëjnë shpenzime duke marrë kartela digjitale të operatorëve dhe individëve të ndryshëm të paautorizuar, sepse të njëjtat nuk janë kartela të vlefshme dhe për më tepër, rrezikojnë të keqpërdorin edhe të dhënat personale të qytetarëve.