Edicioni i sivjetmë i Kolonisë Artistike Ndërkombëtare “Festari”, këtë vit u hap me ekspozitën personale të realizuar me mjeshtëri nga artisti i njohur, Prof. Hajrush Fazliu. 40 piktura, që në vete ngërthejnë emocione të ndryshme, me shumëllojshmëri ngjyrash, ku në theks vijnë portrete njerëzish apo peizazhe, të realizuara deri në perfeksion, sollën për dashamirët e artit këtë ekspozitë artistike, për përmbajtjen e së cilës, për Radio KFOR-in foli vet artisti, Fazliu: “Të gjitha veprat e mia flasin në rend të parë për emocionet e mia, por edhe për emocionet apo shqetësimet globale, qoftë për periudhën e pandemisë apo të tjera. Kryesisht i ndërtoj përmes figuracionit, ku parësore si lajtmotiv është femra/gruaja, por edhe portretet e figurave të tjera. Arma më e fuqishme në artin tim është ngjyra, ngase përmes saj i realizoj të gjitha këto performanca artistike.”
Kuratori i ekspozitës, Prof. Refki Gollopeni, i pranishëm në këtë ekspozitë, shprehu mirënjohjen e tij për realizimin e kësaj ngjarjeje kulturore, e cila siç pohoi ai, i kontribuon kulturës sonë dhe po ashtu bëri thirrje që arti të ketë vlerësimin adekuat në shoqërinë tonë: “Jam shumë i lumtur që edicionin e këtij viti të Kolonisë Artistike “Festari”, po e realizojmë me ekspozitën e Prof. Hajrushit. Ishte një mbrëmje që do të mbesë gjatë në kujtesën time për shumë arsye, e sidomos momenti i vlerësimit të Prof. Hajrushit, si anëtar nderi i Kolonisë artistike, meqenëse Profesori ka qenë një ndër personalitetet që e ka mbështetur qysh nga fillimi këtë manifestim kulturor.”
Ndër përkrahësit më të mëdhenj të artistit, janë padyshim edhe familjarët e tij, nga i cili është frymëzuar edhe bashkëshortja e djalit të tij, artistja Leonita Fazliu, e cila gjithashtu në atele të saj, numëron piktura të shumta: “Prof. Hajrushi, përveç se është vjehrri im, ka qenë edhe profesori im dhe vazhdon të jetë inspirim i artit tim. Unë qëndroj vazhdimisht përkrah veprave të tij dhe mahnitem me bukurinë e tyre.”
I gjendur mes artistësh, me shtëpi të shndërruar në galeri arti, djali i prof. Hajrushit, i cili është njëherit edhe Dekan i Arkitekturës në Kolegjin AAB, Armend Fazliu, për Radio KFOR-in tha se është privilegj dhe kënaqësi jetesa mes krijuesish artistik.