Situata me Covid-19 në Kosovë, është rënduar si pasojë e rritjes së numrit të personave të infektuar, mirëpo edhe për arsye të hezitimit për tu vaksinuar. Një kategori që ka qenë skeptike për tu vaksinuar, janë edhe gratë shtatzëna dhe gjidhënëse. Ministria e Shëndetësisë së Kosovës dhe institucionet tjera relevante kanë siguruar se nuk ka mbështetje shkencore, që vaksina shkakton probleme për gratë shtatzëna apo aspekte të lidhura me fertilitetin. Rreth statistikave të vaksinimit të grave shtatzëna dhe gjidhënëse si dhe rëndësisë së vaksinimit të kësaj kategorie, Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me Divizionin e Komunikimit me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët ritheksuan se vaksina është domosdoshmëri për këtë kategori: “Në kuadër të kategorisë “Shtatzënë apo gjidhënëse”, janë administruar 3.809 doza, për 3.227 persona. Vaksinimi i grave shtatzëna dhe atyre gjidhënëse është shumë i rëndësishëm, për faktin se i mbron ato nga virusi, duke ditur edhe faktin që gratë shtatzënë, janë për së paku dy apo tre herë më të rrezikuara nga COVID-19, se sa gratë e tjera. Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje grave shtatzëna dhe atyre gjidhënëse që të vaksinohen, meqë nuk ka prova apo dëshmi shkencore që vaksinimi i tyre krijon probleme shëndetësore, përkundrazi, përfitimet shëndetësore janë shumë më të mëdha, në raport me çfarëdo efekti pas-vaksinal të lehtë (të mundshëm) sikurse të çdo kategorie tjetër që vaksinohet.”
Gjatë javës së fundit (30.08 – 04.09), janë administruar 1.153 doza, për 960 persona të kësaj kategorie. Vaksinohu. Bashkë ia dalim!