Policia e Kosovës po vazhdon të trajtoj me seriozitet rastet e dhunës në familje, duke realizuar fushata vetëdijesuese për pasojat e dhunës në familje si dhe duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar dhe pa u trajtuar nga organet kompetente.
Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun pranë Policisë së Kosovës, për Radio KFOR-in tregoi se qasja e tillë e policisë karshi rasteve të dhunës në familje, vetëdijesimi për dhunën në njërën anë dhe trajtimi i këtyre rasteve më seriozitet, ka bërë që të ngritët numri i rasteve të raportuara: “Në vitin 2017 janë raportuar 1.269 raste, në vitin 2018 janë raportuar 1.541 raste, në vitin 2019 janë raportuar 1.915 raste dhe në vitin 2020 janë raportuar 2.069 raste. Në muajin janar të këtij viti janë raportuar 169 raste, muajin shkurt 148, mars 168 ndërsa në muajin prill të këtij viti, 206 raste”.
Policia e Kosovës edhe më tutje bën apel që rastet e dhunës në familje të raportohen si dhe bën me dije që këto raste, në secilin stacion policor, trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me institucionet e tjera relevante.