Data e sotme (19 gusht) i dedikohet ‘Ditës Botërore të Humanizmit’, e cila vlerëson punën humanitare të njerëzve, të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në forma të ndryshme, në ndihmë të njerëzve në nevojë.
Se humanizmi nxitë lumturinë, e dëshmon edhe aktorja e mirënjohur, Anisa Ismaili, e cila së fundmi është nderuar edhe me titullin Ambasadore e Paqes dhe e cila përveç profesionit të saj, prej vitesh është pjesë e OJQ-së “Nëna dhe fëmijë të lumtur” dhe po ashtu merr përsipër nisma të ndryshme humanitare në dobi të njerëzve që jeta nuk ju ka buzëqeshur. Padyshim që një filantrope e tillë, përkon me ditën që shënohet sot, prandaj në një prononcim për Radio KFOR-in, znj. Ismaili nënvizoi: “Janë të shumta aktivitetet që vazhdimisht i organizojmë, duke nisur nga aktivitetet e vazhdueshme që bëjmë bashkë me OJQ-në ‘’Nëna dhe fëmijë të lumtur”, e njëra ndër ato është edhe fushata tradicionale që ne e bëjmë çdo vit, ku përgatisim dhurata të shumta për fëmijët, po ashtu jam dhuruese e rregullt e gjakut dhe më besoni, ditën që dhuroj gjak ose bëjë vepra të tilla, ndjehem personi më i lumtur në planet. Organizoj takime të ndryshme me fëmijët e “Sos-fshatit’’, me të cilët bisedoj për rëndësinë që ëndrrat kanë në jetën tonë dhe se si të arrijnë drejt jetësimit të tyre. Po ashtu, çdo 7 gusht, kur unë festoj ditëlindjen, të gjitha të hollat e mbledhura në këtë datë të rëndësishme për mua, ua dedikoj nënave vetushqyese. Prej vetë faktit që për këtë punë nuk paguhesh, nënkupton se e bën me dashninë më të madhe në botë, sepse kjo punë të kënaqë dhe shëron shpirtin”, u shpreh znj. Ismaili.
‘Dita Botërore e Humanizmit’ u themelua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në kujtim të vdekjes së 22 punonjësve të ndihmës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë Sérgio Vieira de Mello, në një bombardim të selisë së Kombeve të Bashkuara në Bagdad, në vitin 2003.