Ndërmarrjet mikro, të mesme dhe të mëdha, të cilat zënë më shumë se 90% të të gjitha bizneseve dhe rreth 70% të vendeve të punës në të gjithë botën, luajnë një rol kryesor në stimulimin e rritjes ekonomike si dhe në sigurimin e punësimit për pjesën më të madhe të shoqërisë.
Në vitin 2017, për të njohur rëndësinë e këtyre bizneseve Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, shpalli 27 Qershorin, si ‘Ditë Botërore të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme dhe të Mëdha’.
Rreth rëndësisë së kësaj dite, Radio KFOR-i bisedoi me zëdhënësen për media në Odën e Afarizmit të Kosovës (OAK), znj. Fjolla Smajli: “Rëndësia e gjithë sektorit të biznesit në Kosovë është e madhe, sepse ato janë lokomotivat e një vendi. Prandaj, ne si Odë e Afarizmit, mundohemi të ju qëndrojmë afër bizneseve me qëllim që të shohim nga afër problemet dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen. Ne në OAK, numërojmë mbi 500 biznese anëtare dhe gjatë gjithë kohës organizojmë takime në terren dhe takime të ndryshme, me qëllim që të ndihmojmë bizneset në forma të ndryshme, sidomos gjatë kohës së pandemisë, ku shumë biznese kanë hasur në vështirësi të shumta.”
Disa nga sektorët që kanë pësuar më së shumti gjatë pandemisë, kanë qenë bizneset, ku një numër i konsiderueshëm i tyre janë detyruar të mbyllen duke rezultuar edhe në humbjen e vendeve të punës. Viteve të fundit në Kosovë, rëndësi të veçantë i është kushtuar krijimit të bizneseve të vogla, të udhëhequra nga gratë, për të mbështetur punësimin dhe fuqizimin e grave në biznes.