Dita e sotme 16 qershor, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Remitancave të Familjes”, nga Kombet e Bashkuara . Remitancat përfaqësojnë të ardhurat që migrantët dërgojnë në vendlindje për familjarët e tyre. Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, z. Ilir Berisha, për Radio KFOR-in ka treguar rëndësinë e madhe që kanë remitancat në ekonominë e përgjithshme në vendin tonë: “Shënimi i kësaj dite, është i një rëndësie të veçantë për gjitha vendet e edhe për Kosovën. Për Kosovën për vet faktin se një numër i madh i popullsisë janë zhvendosur dhe jetojnë jashtë vendit, kanë lindur dhe kanë shtetësi të vendeve të ndryshme. Një pjesë e madhe e tyre kanë dhe i mbajnë lidhjet familjare andaj edhe ne do të flasim për ndikimin dhe për rëndësinë që kanë dërgesat nga jashtë për ekonominë e Kosovës. Në bazë të statistikave zyrtare që publikon Banka Qendrore e Kosovës, dërgesat nga jashtë kanë shënuar rritje vazhdimisht, vit pas viti, për të arritur kulmin në vitin 2020, kur në kushte të pandemisë ishte mjaftë e rëndësishme të ceket se remitancat arritën në shifrën 980 milionë euro. Po ta kthejmë këtë në shifra të cilat patën ndikim në ekonominë e Kosovës, kjo përbën 13,5% të bruto produktit vendor dhe kjo pati një ndikim afërsisht 16 % të konsumit final të ekonomive shtëpiake, sepse këto dërgesa ishin drejtpërsëdrejti tek ekonomitë shtëpiake dhe këto ndikuan në rritjen e konsumit apo shprehur në terma ekonomik, në rritjen e kërkesave agregate të Kosovës.”
Kjo datë është një nderim edhe i përpjekjeve të më shumë se 200 milion punëtorëve migrantë, gra dhe burra, të cilët u dërgojnë para më shumë se 800 milion anëtarëve të familjeve të tyre.