Tashmë situata epidemiologjike në Kosovë ka hyrë në një fazë stabilizimi, bazuar edhe në shifrat e të infektuarve me virusin Covid-19, të bëra publike nga institucionet përgjegjëse.
Në një prononcim dhënë Radio KFOR-it, Infektologia në Klinikën Infektive në QKUK, Dr. Arjeta Zogaj Berisha, tregoi se sa raste janë aktualisht në këtë klinikë e po ashtu apeloi që të gjithë ti thonë po, vaksinimit: “Në klinikën tonë momentalisht janë 22 pacientë të infektuar me virusin Covid-19, 17 prej tyre janë me oksigjen. Këshilla apo rekomandimi im do të ishte, që asnjë qytetarë të mos hezitoj të vaksinohet, sepse patjetër të gjithë duhet të vaksinohemi.”
Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 3.205 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 102.598 doza të vaksinës. Gjatë 24 orëve të fundit, 12 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19 dhe nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.