Ne jetojmë në një botë ku teknologjia është përshpejtuar dhe ndërsa evoluon, ashtu edhe ne duhet të ecim një hap me të ose mbetemi pas. Radio KFOR-i, në vijim ju sjell disa nga të rejat teknologjike që shënuan këtë javë që po e lëmë pas:
– WhatsApp, një nga aplikacionet më të përdorura të mesazheve në botë, po përgatitet të prezantojë një seri karakteristikash të reja për përdoruesit e tij. Mesazhet që merren ose dërgohen në çdo bisedë, do të fshihen automatikisht pas një periudhe të caktuar kohe, të vendosur sipas preferencave nga çdo përdorues. Kjo periudhë kohore varion nga 24 orë, deri në 7 ditë.
– Jeff Bezos, i cili është një ndër njerëzit më të pasur të botës, do të udhëtojë në hapësirë. Themeluesi i Amazon, thotë se do të jetë pjesë e fluturimit të parë me ekuipazh të anijes së tij kozmike Blue Origin. Raketa e emërtuar New Shepard, rreth 18 metra e gjatë, do të fluturojë për 11 minuta, me 15 korrik, të këtij viti dhe pritet që të shkojë deri në 96 kilometër, mbi sipërfaqe të tokës.Në kabinën e anijes do të jenë gjithsej gjashtë persona. Përveç Jeff Bezos, pjesë e ekuipazhit do të jetë dhe vëllai i tij, Mark Bezos. Ndërsa një vend është rezervuar për fituesin e ankandit, që është aktualisht në progres dhe deri më tani për të qenë pjesë e këtij fluturimi, oferta më e lartë ka shkuar në 2.8 milionë dollarë.
– Facebook është duke planifikuar të lansojë për herë të parë një ‘smartwatch’ në verën e vitit 2022. Pajisja do të ketë një ekran dhe dy kamera që mund të shkëputen për të bërë fotografi dhe video, ashtu sikurse do ta bënit në një smartphone ose aparat fotografik GoPro.