Që nga viti 1983, e diela e tretë e muajit maj, i dedikohet njerëzve që humbën jetën nga HIV/AIDS. Në këtë ditë nderohen edhe ata persona që jetën e tyre ua kushtojnë njerëzve të infektuar me HIV/AIDS, duke ndihmuar edhe mobilizuar komunitetet për solidaritet.
Për të ditur se si qëndron Kosova me të prekurit nga kjo sëmundje, Radio KFOR kontaktoi infektologun, Dr. Murat Mehmeti, i cili theksoi: “Krahasuar me vendet tjera, tek ne është numri më i vogël i rasteve. Për momentin kemi 50 raste që i kemi nën mbikëqyrje dhe janë nën vëzhgimin tonë. Shumica nga ta, e kanë zbuluar me kohë këtë infeksion, prandaj marrin terapi dhe bëjnë një jetë normale. Është shumë me rendësi të zbulohet me kohë, prandaj të gjithë ata persona që mund të kenë pasur kontakt me një person të infektuar, do të ishte shumë më mirë që të testohen dhe ta largojnë dyshim, sepse çdo infeksion, duke përfshirë këtu edhe HIV/AIDS, nëse zbulohet me kohë edhe suksesi është shumë më i madh.”
Për të përkujtuar viktimat e prekur nga HIV/AIDS, këtë të diel, me datën 23 maj, kudo në botë në sheshe të qyteteve, do të ndizen qirinj për ta.