Viti 2021, për herën e dytë radhazi “Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve” e gjen në një periudhë të pandemisë globale. Duke e njohur kontributin e madh të tyre, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) vitin e kaluar, 2020, e ka përcaktuar si “Viti i Infermierëve dhe i Mamive”, mirëpo edhe ky vit e gjen këtë komunitet duke dhënë edhe më tutje kontribut të pashoq.
Për të kuptuar më shumë për rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me Kryetaren e Shoqatës të Mamive të Kosovës, Magbule Elezi: “Komuniteti i infermierëve është një komunitet i gjerë, i cili është në gatishmëri qoftë në kujdesin parësor e dytësor, duke mos lënë anash edhe shërbimet shtëpiake që infermierët kosovarë i ofrojnë për pacientët që kanë nevojë për trajtim në shtëpi. Prandaj rëndësia e këtij profesioni është aq unik e aq human, sa që mund të themi lirshëm që janë krahu shumë i fortë i shëndetësisë, mjekëve dhe ekipit tjetër shëndetësorë, të cilët nuk mund të funksionojnë pa prezencën e infermierëve.”
Tema e kësaj dite të infermierëve për këtë vit, është “Një zë për të udhëhequr – Një vizion për kujdesin shëndetësor për të ardhmen”.