Era Syla i ka sjell Kosovës medaljen e parë të argjendtë në matematikë, në Olimpiadën e 10-të Matematikë Evropiane për Vajza ‘EGMO 2021’, garë kjo shumë e rëndësishme evropiane e matematikës për vajza, në të cilën marrin pjesë të gjitha vendet e Evropës.
Z. Valmir Krasniqi, i cili ishte udhëheqës i ekipit përfaqësues të Kosovës, në një intervistë për Radio KFOR-in tregoi për rëndësinë e kësaj gare dhe suksesin që tregoi ekipi nga Kosova në këtë garë: “Kjo olimpiadë është jashtëzakonisht prestigjioze dhe nga më të rëndësishmet në fushën e dijes, që mbështet vajzat dhe pikërisht ka për qëllim të nxit vajzat të merren me matematikë dhe fusha që implikojnë matematikën nga të gjitha shtetet e Evropës. Kosova merr pjesë për herë të dytë dhe vitin e kaluar Era Syla, ka fituar medaljen e bronztë dhe këtë vit të argjendtën. Për ne është një sukses i jashtëzakonshëm, sepse tregon që nxënësit në Kosovë kanë potencial të arrijnë suksese në gjithë botën.”
Era Syla padyshim është sinonim i vajzave të suksesshme në vend dhe krahas sukseseve të shumta në fushën e matematikës, është pranuar për të studiuar matematikën në njërin ndër universitetet më të mira të botës në ‘Massachusetts Institute of Technology’, në SHBA.