Koha kur sëmundja e etheve hemorragjike ‘Crime Congo’, që vjen nga pickimi i rriqrave, në Kosovë shfaqet kryesisht nga muaji prill, deri në muajin shtator.
Malisheva, është një nga komunat me personat më të prekur nga pickimi i rriqrave gjatë muajve të lartpërmendur dhe për të mësuar se si qëndron situata me menaxhimin e kësaj çështjeje, Radio KFOR-i kontaktoi me drejtorin për shëndetësi në komunën e Malishevës, z. Liridon Hoti, i cili tha se këtë vit situata është më stabile: “Malisheva është një nga komunat që gjatë kësaj kohe paraqiten raste të pickimit nga rriqrat dhe ethet hemorragjike dhe fatkeqësisht kemi pasur edhe viktima nga pickimi i rriqrave. Megjithatë, këtë vit për shkak të temperaturave më të ulëta që kemi pasur këta muaj, deri më sot kemi pasur 8 raste, që krahasuar me vitin e kaluar në sezonin e njëjtë, numri i të prekurve nga rriqrat është dukshëm më i ulë. Komuna jonë dhe akterët tjerë të përfshirë për të mbrojtur qytetarët, janë mobilizuar dhe janë të gatshëm tu dalin në ndihmë të gjithë personave që pickohen nga rriqrat.”
Z. Hoti, apeloi tek të gjithë qytetarët të kenë kujdes, sidomos ata që jetojnë nëpër fshatra që merren me bagëti dhe bujqësi, që ta kontrollojnë veten gjithmonë se mos janë të pickuar nga rriqrat dhe në raste se po, të mos e largojnë atë në kushte shtëpie, mirëpo të drejtohen tek qendrat e mjekësisë familjare.