Gjithë përfshirja e individëve me aftësi të kufizuara në komunitet, të jetuarit në mënyrë aktive e të pavarur, mund të realizohet e plotë vetëm atëherë kur atyre u sigurohen shërbimet e nevojshme mbështetëse. Sot (30 mars) Kontingjenti Austriak i cili vepron në kuadër të KFOR-it, dhuroi edhe 10 karroca për HANDIKOS-in në Drenas, të cilat vinin nga Austria me iniciativë të Dr. Karl Bauger dhe z. Valton Halimit.
Në emër të Kontingjentit austriak, i pranishëm ishte Kolonel Jager Jurgen, i cili për Radio KFOR-in tha: “Ky është një donacion i vogël, por për njerëzit që ju duhen këto karroca, është një ndihmesë e madhe, pasi që u ndihmojnë atyre të lëvizin. Përgjatë këtyre 20 viteve austriakët kanë ndihmuar popullatën e Kosovës dhe jemi shumë krenarë me këtë.”
Ndërkaq, drejtori i HANDIKOS-it në Drenas, Bexhet Binaku shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e tij për këtë donacion: “Ky donacion për ne është shumë me rëndësi. Në emër të stafit e falënderoj KFOR-in, jo vetëm për këtë donacion, por për të gjitha donacionet e tjera që na kanë ndihmuar, siç janë: me pajisje të ndryshme, na kanë ndihmuar me renovimin e objektit, me vendosjen e kaloriferëve në tre dhomat që punohet me fëmijë dhe të rritur etj.”
70 vjeçarja, Drita Kluna e cila është përdoruese e karrocës për nëntë vite me radhë, tha se me marrjen e karriges së re, jeta e saj do të jetë shumë me e lehtë: “Ndihmën e KFOR-it e vlerësoj jashtëzakonisht shumë, sepse kjo karrocë do të më ndihmojë të kem lëvizje më të lehta, mundem të dal edhe vetë, pa ndihmën e dikujt si dhe e ndjej vetën komod. Shpresoj se gjithmonë do të kemi njerëz të mirë sikurse pjesëtarët KFOR-it.”
Si rezultat i pajisjes me karroca, individët me aftësi të kufizuara vlerësohet të jenë më pak të izoluar e më të përfshirë në aktivitete e ndryshme që organizohen në komunitet.