Besoj që të gjithë e njohim piktorin e madh Vincent Van Gogh, por se a keni ditur se ai ishte diagnostikuar me çrregullim bipolar? Pikërisht për nder të datës së lindjes së piktorit të madh Van Gogh, 30 marsi, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Bipolaritetit”.
Për të kuptuar se çfarë është çrregullimi bipolar, Radio KFOR-i ka intervistuar psikologen e specializuar në psikologji sociale dhe psikoterapi, Dafina Prokshi: “Bipolariteti është çrregullim i shëndetit mendor apo lloj i depresionit, i cili tek pacienti paraqitet me ndryshime ekstreme të humorit që përfshijnë ngritje emocionale (mani ose hipomani) dhe ulje (depresion). Simptomat kryesore të bipolaritet janë: ‘Lumturi e tepruar, shpresë dhe eksitim’, ‘Ndryshime të papritura nga të qenit të lumtur në të qenët nervoz’, ‘I/ei zemëruar dhe armiqësor’, ‘Fjalim i shpejtë dhe përqendrim i dobët’, ‘Energji e shtuar dhe më pak nevojë për gjumë’, ‘Impulsivitet’, etj. Ekzistojnë vlerësime psikologjike të cilat evidentojnë një gjendje të tillë tek njeriu, prandaj, nuk do të thotë të kesh një nga simptomat e lartë përmendur e të jeni bipolar.”
Siç na njoftoi znj. Prokshi, në shumicën e rasteve, çrregullimi bipolar trajtohet me medikamente dhe këshillim psikologjik (psikoterapi).