Sot (21.03.21), shënohet edhe një ditë shumë e rëndësishme, është kjo “Dita Botërore e Pyjeve”. Ajri i pastër, uji, energjia e shumë aspekte të tjera të jetës sonë janë të lidhura me pyjet në një mënyrë apo në një tjetër.
Lidhur me rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i kontaktoi me kryetarin e Shoqatës së Pronarëve të Pyjeve Private “Pashtriku”, Gasper Markaj, i cili theksoi: ”Ditën Botorë të Pyjeve ne e shënojmë çdo vit, duke mbjellë fidanë të reja në oborret e institucioneve të ndryshme. E bëjmë këtë, sepse pyjet janë të rëndësishme dhe të pazëvendësueshme për natyrën. Ato pastrojnë ajrin nga dioksidi i karbonit, ofrojnë rezerva të ujit, ku 70% e ujit buron nga pyjet, ato strehojnë shumë prej gjallesave, kafshëve, shpezëve, aty po ashtu ka shumë bimë mjekësore të cilat janë të pazëvendësueshme për planetin tonë, pra pyjet janë faktor kyç për tërë planetin.”
Pyjet mbulojnë një të tretën e masës tokësore të botës dhe kanë një funksion thelbësor për të mirën e gjithë njerëzimit, prandaj duke i përtërirë dhe duke i mbrojtur pyjet ne investojmë në zhvillim, shëndet të qëndrueshëm dhe rrisim ekonominë e gjelbër.