“Bota do të ishte një vend shumë më i bukur, nëse të gjithë do të trajtonim njëri tjetrin të barabartë, pavarësisht dallimeve!” – Kjo është thënia prapa së cilës qëndron një zë shumë i fuqishëm, që gjithë kohën e saj dhe mundin ua ka kushtuar thirrjes dhe aktivizmit për të drejtat e personave me aftësi të veçanta. Të gjithë këto, e madje edhe shumë më shumë vepra të tjera, e përkufizojnë znj. Fjolla Rraci, e cila gjithë përkushtim, çdo ditë është e rrethuar me personat me sindromin Down.
E në datën e sotme, 21 mars, kur shënojmë “Ditën Botërore të Sindromit Down”, Radio KFOR-i ka intervistuar pikërisht vajzën nga Gjakova, e që sot jeton në Amerikë, Fjolla Rracin, e cila për këtë ditë tha:“Shënimi i ‘Ditës Botërore të Sindromës Down’, është shumë i rëndësishëm për të dhënë mesazh vetëdijesues dhe për të ngritur ndërgjegjësim tek të gjithë. Por a është e mjaftueshme vetëm një ditë?! – Uroj që të vije dita kur për 21 Mars, nuk do të ketë më nevojë për vetëdijesim, por të jetë një ditë feste për personat me sindromin Down dhe familjarët e tyre.”
Zonja Rraci, na tregoi gjithashtu se sa e përmbushur ndihet ajo, kur energjinë e saj ia kushton kësaj kauze: “Ndihem aq e përmbushur emocionalisht, sa nuk e di çfarë emri t’i vë kësaj ndjenje. Sa herë jam pranë personave me nevoja të veçanta njerëzore, se bash njerëzore janë nevojat e tyre, të jesh e rrethuar me njerëz që nuk ta mendojnë të keqen, që të duan pa as më të voglin interes, për mua ndjesi më të mirë nuk ka. Unë ndihem unë, veç kur jam pranë tyre.”