Në këtë dinamikë, e cila po na shtohet çdo ditë e më shumë, shpesh herë nuk kemi kohë të gatuajmë ushqimet tona të preferuara, të familjarëve apo të fëmijëve tanë. Janë vikendet, që të gjithë mezi i presim, e posaçërisht të vegjlit tanë, për tu gatuar ushqimet që ata i pëlqejnë shumë, e që në të shumtën e rasteve janë petullat amerikane (American pancaces). Është pikërisht ky ushqim, që jo vetëm ata, por edhe të rriturit e parapëlqejnë, e që edhe përgatitet lehtë, por edhe ka shije fantastike.
Për kënaqësinë që ofrojnë vikendet me tryezën e shtruar me petulla, Radio KFOR-i bisedoi me znj. Drita Bekteshi, nënë e 3 fëmijëve, e cila na tregoi për gëzimin që kanë sidomos fëmijët e saj, kur nëna e tyre përgatitë petullat amerikane: “Me padurim i presim vikendet, sepse ditëve të tjera, duke qenë në punë nga mëngjesi, më pamundësohet përgatitja e ushqimeve që fëmijët e mi i pëlqejnë, e të shtunave e të dielave. Vikendeve mundohem që tua kompensoj mungesën time dhe të ushqimeve që ata duan më shumë gjatë mëngjeseve dhe janë petullat amerikane, që ata i duan shumë. Atmosfera e mëngjeseve tona gjithmonë është e këndshme, sepse edhe ata, edhe pse të vegjël mundohen të më ndihmojnë në përgatitjen e tyre apo të shtrojnë tryezën me ushqimet tjera kombinuese“, tha znj. Bekteshi.
Ngrënia së bashku me familje, në thelb na mundëson të jemi të lidhur me ata që duam më së shumti, sepse zakonisht koha e kaluar në tryezë na mundëson që përveç shijimit të ushqimit, të flasim për gjithçka që na gëzon apo preokupon gjatë ditëve të javës.