Kudo në botë, sot (10 shkurt) shënohet ‘Dita Botërore e perimeve bishtajore’, e cila është një ngjarje globale, e caktuar nga Kombet e Bashkuara, për të njohur rëndësinë e ushqimeve bishtajore si një ushqim global, siç janë qiqrat, fasulet e thata, thjerrëzat, bizelet e thata, etj.
Kjo ditë ofron një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me përfitimet ushqyese të perimeve bishtajore, si pjesë e prodhimit të qëndrueshëm, me qëllim rritjen e sigurisë ushqimore.
Të mbjellat e këtyre ushqimeve, kanë një gjurmë më të ulët të karbonit sesa shumica e ushqimeve, sepse kërkojnë një sasi të vogël të plehrave për tu rritur. Ato gjithashtu kanë një gjurmë të ulët uji, pasi janë përshtatur në kushtet gjysmë të thata dhe mund të tolerojnë thatësira. Mirëpo, nuk është vetëm faktori i qëndrueshmërisë, sepse perimet bishtajore janë edhe të lira, të lehta për tu ruajtur, ushqyese dhe aftësia e tyre për të rritur mikrobiomën e tokës, është thelbësore në përmirësimin e teknikave bujqësore në zonat rurale me të ardhura të ulëta.