Kosova edhe më tutje po vazhdon të përballet me përhapjen e pandemisë CoViD-19 dhe gjendja vazhdon të jetë e rënduar, sa i përket numrit të të infektuarve dhe atyre që kërkojnë shërbime spitalore. Për të kuptuar gjendjen momentale të personave të prekur me CoViD-19, Radio KFOR-i morri një prononcim nga infektologu në Klinikën Infektive, Dr. Murat Mehmeti: “Sa i përket gjendjes momentale me CoViD-19 në Kosovë, unë mund të flas për Kliniken Infektive, ku në klinikën tonë po vazhdon të mbetet numri i njëjtë në kuptimin e pacientëve dhe klinika është pothuajse e mbushur me pacientë. Kjo sigurisht edhe për arsye se klinikat e tjera, konkretisht Klinika Interne, e cila ka qenë e hapur deri sa ka qenë numri i madh i të infektuarve, mirëpo tani më është mbyllur, që i bie se megjithatë ka një rënie të numrit të pacientëve. Në anën tjetër sa i përket variantit të ri të virusit, ne nuk është që kemi eksperiencë dhe ajo që mund të them është se IKSHPK-ja, ka dërguar disa mostra jashtë vendit dhe siç e dini tashmë ky variant i virusit të ri, është prezent në vendin tonë. Çka dimë për këtë virus në bazë të eksperiencave të vendeve të tjera përkatësisht Britanisë së Madhe, po edhe vendeve të tjera që janë të prekura, dihet se ky variant nuk është më agresiv se varianti i mëparshëm, mirëpo që thuhet se më i transmetueshëm deri ne 70%.”
Sa i përket virusit të ri, Dr. Mehemti tregoi se variant i ri i virusit ka transmetueshmëri më të lartë dhe sipas tij, kjo nënkupton se mundësia e përhapjes do të jetë më e madhe dhe me këtë edhe mundësia e ngarkimit të klinikave është më e lartë. Krahas kësaj, infektologu Mehmeti tregoi edhe për ri-infektimet e pacientëve me CoViD-19, brenda disa muajve: “Kemi raste që janë ri-infektuar edhe brenda 3-4 muajve edhe me një gjendje klinike më të rëndë se në herën e parë, andaj më tutje nuk ka ndonjë ndryshim në kuptimin e respektimit të masave, aq ma tepër kur kemi edhe variantin e ri të virusit prezentë. Bëjmë apel tek të gjithë qytetarët, që të vazhdojnë të mbajnë maskat, distancën sociale dhe higjienën dhe pastrimin e vazhdueshëm të duarve.”