Duke filluar nga ky vit (2021), Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka vendosur që në datën e sotme, 4 shkurt të shënojë “Ditën Ndërkombëtare të Vëllazërisë mes Njerëzve”.
Shënimi i kësaj dite, bëhet për nder të nënshkrimit historik të Dokumentit mbi Vëllazërinë mes njerëzve, për paqe botërore dhe bashkëjetesë, nga Shenjtëria e Tij, Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Ahzar-it, Ahmad Al-Tayyeb-I, dokument ky i cili u nënshkrua më 4 shkurt, të vitit 2019, në Abu Dhabi.
Deklarata e lartpërmendur është një ftesë për pajtimin dhe vëllazërinë midis të gjithë besimtarëve, madje mes besimtarëve dhe jobesimtarëve si dhe mes të gjithë personave me vullnet të mirë. Përmes kësaj Deklarate, u bëhet thirrje të gjithëve që të kundërshtojë dhunën dhe ekstremizmin e verbër, thirrje për të gjithë që të përqafojnë vlerat e tolerancës dhe të vëllazërisë, të premtuara dhe të inkurajuara nga fetë e ndryshme si dhe të jetë kjo ditë një simbol i përqafimit mes Lindjes, Perëndimit dhe mes Veriut, për të bashkëpunuar mes vete e për të jetuar si vëllezër që duhen.