Bullizmi në përgjithësi por me fokus ai në internet, është një fenomen shqetësues për gjithë botën e sidomos për fëmijët. Kjo formë e ngacmimit me përdorimin e teknologjive digjitale mund të zhvillohet në mediat sociale, platforma digjitale dhe platforma të tjera online. Ky lloj bullizmi përfshin: përhapjen e gënjeshtrave ose postimi i fotove të turpshme të dikujt në rrjetet sociale, dërgimi i mesazheve ose kërcënimeve lënduese përmes platformave apo duke dërguar mesazhe të këqija, për të tjerët në emër të tyre.
Kjo formë e ngacmimit është prezentë edhe në Kosovë, por që raste të tilla përcillen me kujdes nga Policia e Kosovës. Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili tregoi më shumë rreth këtij fenomeni dhe punës që bën institucioni i tyre në këtë drejtim: “Marrë parasysh se mbi 90% e qytetarëve të vendit kanë qasje në internet si dhe numër i konsiderueshëm i tyre janë përdorues të rrjeteve sociale, Policia e Kosovës, përveç hetimit është e angazhuar edhe në parandalimin e krimeve kibernetike apo krimeve që mundësohen të kryhen përmes internetit. Policia e Kosovës trajton raste të ndryshme, ku ankues janë individë por edhe institucione apo biznese, ankesa e të cilëve kanë të bëjnë me raste që lidhen me internetin. Rastet janë individuale dhe i kanë specifikat e ndryshme.”
Zëdhënësi Hoxha, bëri edhe një apel tek të gjithë me qëllim të minimizimit të kërcënimit kibernetikë që qytetarët të mos bien viktimë e tyre: “Ne i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë përdorimit të internetit.”