Tashmë kemi filluar vitin 2021 dhe patjetër që duam të zbulojmë më shumë rreth fushës së modës, të mësojmë se cila është moda apo ngjyrat e veshmbathjeve që do të mbizotërojnë apo do e karakterizojnë këtë vit.
Për të mësuar më shumë rreth kësaj fushe, Radio KFOR-i kontaktoi dizajneren e mirënjohur të modës, Yllka Brada, e cila tha: “Kohëve të fundit nuk ka trendë, sepse të gjitha brendet paraqesin veshje të ndryshme, ngjyra të ndryshme, materiale të ndryshme dhe shumica e personave mundohen të vishen ndryshe për t’u dalluar nga të tjerët, pra nuk ka ndonjë trendë të veçantë. Megjithatë, gjithmonë ka dizajnerë që mundohen me paraqitë trende përmes dizajnëve të tyre.”
Sipas portaleve botërore të cilat e përcjellin modën, këtë vit ngjyrat dominuese do të jenë ngjyra e gjelbër, e verdhë, vjollce, portokalli dhe ngjyra e lehtë e bananes. Ndonëse, ka qenë një vit i qetë për botën e modës, për shkak të pandemisë, prapë se prapë kemi dizajne seriozisht të guximshme dhe me stil, si xhaketa të mëdha, pantallona të gjëra, çanta shumëngjyrëshe si dhe maska të shkëlqyera për fytyrën.