Me moton ‘The Show Goes On…’, po vazhdon edicioni i IV-të me radhë i Festivalit Ndërkombëtar Teatror të Prishtinës, organizuar nga Kolegji AAB dhe Teatri AAB ‘Faruk Begolli’.
Ky Festival që po mbahet në AAB, i cili ka filluar nga 19 dhjetori dhe do të zgjas deri më 23 dhjetor, do të sjellë në skenë trupa teatrale nga Bullgaria, Kroacia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Për të mësuar më shumë se si po shkon edicioni i sivjetmë, Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtorin e Marrëdhënieve me Publikun në këtë Festival, Zija Rexhepi, i cili tha: “19 – 23 dhjetor është data e tretë që është vendosur këtë vit, sepse festivali është dashur të mbahet shumë më herët, diku muajve të verës, por për shkak të pandemisë është shtyrë. Kur është shpallur thirrja për këtë Festival, ka pasur një numër shumë të madh të shfaqjeve që kanë aplikuar dhe ka qenë e veçanta se kemi pasur në program edhe shfaqje nga Amerika, Argjentina, Spanja e shumë vende të tjera, por fatkeqësisht për shkak të pandemisë është dashur të fokusohemi tek shfaqjet që vinë nga vendet që na rrethojnë. Tani jemi në fazën kur festivali ka filluar dhe po zhvillohet. Natën e parë kemi pasur shfaqje nga Bullgaria, në natën e dytë një shfaqje mysafire, prodhim i Teatrit AAB, mbrëmë një shfaqje nga Kroacia dhe deri më tani gjithçka ka rrjedhur në rregull, por natyrisht ka pasur edhe sfida. Sonte (22.12.20) do të ketë një shfaqje nga Teatri i Gjakovës, ndërsa në natën e fundit do të jetë një shfaqje nga Teatri Kombëtar i Maqedonisë së Veriut. Pastaj, në përfundim të shfaqjes, do të jetë edhe ceremonia e ndarjes së shpërblimeve, që do të mbahet po në Teatrin AAB, duke respektuar në mënyrë rigoroze rregullat e vendosura nga IKSHPK dhe nga MSH.”
Z. Rexhepi, tutje njoftoi se të gjithë të interesuarit, programin e sivjetmë të Festivalit e gjejnë vegzën: https://aab-edu.net/