“Të Drejtat e Njeriut duhet të jenë në qendër të botës pas COVID-19”, kështu thuhet në fushatën e vitit 2020 të Kombeve të Bashkuara, në lidhje me “Ditën Botërore të të drejtave të njeriut”, ngase kriza COVID-19 është ushqyer nga thellimi i varfërisë, rritjen e pabarazive dhe diskriminimin strukturor.
Sot (10 dhjetor) në “Ditën Botërore të të drejtave të njeriut”, Radio KFOR-i morri një deklaratë nga Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, z. Behxhet Shala:“Ka informata të mjaftueshme tashmë se cilat janë të drejtat që secili njeri duhet ti gëzoj, ka adresa të mjaftueshme se ku mund t’i adresojnë shqetësimet e tyre. Të drejtat e njeriut në Kosovë, si në çdo vend tjetër të botës, mbrohen me ligj dhe ligji është përgjegjës për garantimin e të drejtave të njeriut. Me ndryshimet që ka bërë Ministria e Drejtësisë vitin e kaluar në legjislacion, po krijohen kushte edhe më të mira për të drejtat e të gjithëve.”
Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut është një deklaratë e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor të vitit 1948, në Paris. Krijimi i Deklaratës iu besua një Komisioni mbi të Drejtat e Njeriut në vitin 1946, i cili punoi për dy vjet rresht, për hartimin e saj. Komisioni u kryesua nga Eleanor Roosevelt, një avokate e njohur e të drejtave të njeriut, ndërsa komisioni përbëhej nga 18 anëtarë të nacionaliteteve dhe përkatësive të ndryshme politike.