Situata aktuale me ‘CoViD-19’ në Kosovë, ashtu si në shumicën e vendeve të botës, vazhdon të jetë shqetësuese edhe në prag të festave të fundvitit, për shkak se shifrat e infektimeve ende vazhdojnë të jenë të larta.
Me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të këtij virusi, udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, Dr. Faik Hoti, për Radio KFOR-in thotë se duhet të evitohen tubimet në kohë pandemie, sepse në këtë mënyrë rrezikohet shëndeti publik: “Tubimet në kohë pandemie, ku rrezikohet shëndeti publik dhe jeta e qytetarëve nuk kanë ndonjë vlerë. Përkundrazi, flasin për mungesë respekti ndaj punës së profesionistëve shëndetësor që janë mjaft të ngarkuar, flasin për mungesë së kulturës shëndetësore për të ruajtur veten së pari, pastaj edhe të tjerët dhe gjithashtu, flasin edhe për mungesë respekti ndaj prindërve dhe gjyshërve, të cilët si mosha më të shtyra dhe potencialisht me sëmundje kronike, mund të rrezikohen më së shumti. Prandaj, thirrja më e sinqertë që qytetarëve mund t’u bëhet për festa të fundvitit është: festoni në shtëpi, kujdesuni për shëndetin e më të dashurve tuaj!”
Zotëri Hoti, tutje thotë se në Kosovë duhet vazhduar me masat në fuqi, duke rritur disiplinën në zbatimin e këtyre masave si dhe me rritjen e monitorimeve dhe inspektimeve.