Drejtorati për Policimin në Bashkësi dhe Preventivë që vepron në kuadër të Policisë së Kosovës, do të organizojë sot, më 26 nëntor, punëtorinë “Roli i grave në FSB dhe kontributi i tyre në sigurinë në bashkësi, përfshirë sfidat gjatë pandemisë”, mbështetur nga misioni i OSBE-së në Kosovë, përkitazi Departamenti për Siguri Publike.
Radio KFOR-i ka kontaktuar zyrtarin e Departamentit për Siguri Publike në OSBE, Erduan Gjigolli, i cili ka treguar se cili është qëllimi i mbajtjes së kësaj punëtorie, e cila do të fillojë në ora 13:00 dhe do të zgjasë deri në ora 15:00: “Kjo punëtori synon të rrisë vetëdijesimin duke identifikuar atë se çfarë është primare që duhet të bëhet kryesisht për të inkurajuar përfshirjen dhe pjesëmarrjen e grave në forume të sigurisë në bashkësi si dhe për të promovuar përfshirjen e tyre aktive në përmirësimin e sigurisë së komunitetit dhe cilësisë së jetës në komunitet, së bashku me sfidat e identifikuara. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet praktikave më të mira për masat parandaluese nga dhuna në familje, TQNj, EDHRT, përfshirë vetëdijesimin e të rinjve nga fenomeni negativ.”
Tutje, z. Gjigolli ka përmendur edhe temat që do të diskutohen gjatë kësaj punëtorie: “Sipas agjendës së eventit, temat që do diskutohen janë: prezantimi mbi sfidat e grave në polici, përfshirë edhe ndikimi nga pandemia COVID 19, të gjeturat nga reagimi institucional për adresimin e rasteve të DHF dhe sfidat gjatë pandemisë me COVID-19, roli i gruas në parandalim të TQNJ-së dhe EDHRT, përfshirë rrezikun e të rinjve nga këto fenomene negative, si dhe rekomandimet dhe sugjerimet për të përmirësuar pjesëmarrjen e gruas në iniciativat për siguri në bashkësi, me fokus në parandalim.”
Kjo punëtori po mbahet përmes platformës digjitale ‘Zoom’ dhe pjesë e saj kanë qenë përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, forumet e sigurisë në bashkësi (KKSB, KLSP, EVSB), shoqëria civile dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë. Edhe kjo punëtori është pjesë e fushatës ’16 Ditë Aktivizëm’ Kundër Dhunës me Bazë Gjinore.