Bullizmi në shkolla ende mbetet një sfidë e rëndë dhe e vështirë për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit në Kosovë. Bullizmi (ngacëmimi) është aktiviteti i sjelljes së përsëritur, agresive që synon të dëmtojë një individ tjetër, fizikisht, mendërisht ose emocionalisht.
Sipas një sondazhi të kryer në shkurt të këtij viti, nga kompania ‘Pyper’ në Kosovë, mësojmë që niveli i bullizmit është ende i pranishëm në institucionet edukativo-arsimore të Kosovës. Sipas hulumtimit në fjalë, dukuria e bullizmit më së shumti është e pranishme në shkollat e mesme (58.31%) dhe shkollat fillore (31.94%) si dhe në një përqindje më të vogël në universitet/kolegj (4.37%). Po ashtu, ky hulumtim ka treguar se prej të gjitha llojeve të pranishme të bullizmit në Kosovë, bullizmi verbal është konsideruar si lloji më prezent i bullizmit nga pjesëmarrësit, duke lënë pas atë kibernetikë si dhe fizik.
Për të mësuar më qartë rreth efekteve të bullizmit në shkolla, Radio KFOR-i ka kontaktuar me psikologen e specializuar në psikologjinë sociale dhe psikoterapi, Dafina Prokshi, e cila tregoi rreth ndikimit dhe efekteve të bullizmit te një person: “Bullizmi është një dukuri që prekë çdo kënd, jo vetëm personin direkt por edhe atë që merr rolin për të bërë ngacmim dhe të tjerët për rreth. Në bazë të studimeve bullizmi është i lidhur me shumë rezultate negative duke filluar me impaktin negativ në shëndetin mendor, përdorimin e substancave e deri tek vetëvrasjet. Është e rëndësishme që shkollat të marrin një qasje të tërë shkollore për parandalimin dhe zvogëlimin e ngacmimit si dhe adresimin e incidenteve specifike. Do të rekomandoja drejtuesit e shkollave fillore të marrin iniciativa për trajnim të stafit për të identifikuar bullizmin në shkollë, për të mësuar si të evidentohet sa më herët dhe të parandalojnë këtë dukuri sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të ruajmë shëndetin mendor të fëmijëve tanë.”
Psikologia Prokshi, më tej tregoi se bullizmi dëmton klimën në klasë dhe shkollë dhe ka efekte në të nxënit, angazhimin dhe lidhjen e studentëve me shkollën dhe bashkëmoshatarët e tyre, prek ndjenjat e sigurisë dhe demotivon personat e prekur.