Akademia e Dialogut të OSBE-së për Gratë e Reja, e 6-ta me radhë, e cila mblodhi 26 pjesëmarrëse nga Prishtina dhe Beogradi, është duke i vazhduar punimet edhe online. Në këtë program katër- javor, i cili filloi më 1 nëntor, pjesëmarrëset janë duke zgjeruar njohuritë e tyre mbi temat e fuqizimit të grave, udhëheqjes, dialogut, pajtimit dhe avokimit publik.
Pikërisht për këtë, Radio KFOR-i kontaktoi Zyrtaren e Lartë të Programit në fjalë, Aida Salketic, e cila theksoi: “Akademia e Dialogut të OSBE-së, çdo vit mbledh gra të reja nga Prishtina dhe Beogradi të moshës nga 20 deri në 27 vjeçe. Programi ka qëllim të dyfishtë; nga njëra anë, ndërton kapacitetet dhe aftësitë e pjesëmarrësve për udhëheqje dhe dialog, përmes punëtorive interaktive dhe diskutimeve me folës të shquar në të gjithë rajonin e OSBE-së dhe nga ana tjetër synon krijimin e lidhjeve dhe miqësive afatgjata profesionale midis pjesëmarrësve.”
Panele e diskutime të ndryshme janë duke u organizuar përgjatë këtij programi, e një nga mesazhet kryesore të panelistëve për pjesëmarrëset ishte: “Ne besojmë tek gratë dhe besojmë se paqja dhe dialogu janë mënyra e vetme; kërkojmë mbështetje dhe aleanca, pasi kemi nevojë për të rritur besimin mes nesh!”