Situata e krijuar muajve të fundit me ‘CoViD-19’, padyshim që ka prekur edhe industrinë e estetikës, meqenëse studiot që ofrojnë shërbime estetike për gra dhe burra, për muaj kanë qenë të mbyllura.
Në lidhje me këtë temë, Radio KFOR-i ka kontaktuar Liridon Malokun, nga studio e bukurisë ‘Happy Salon’ në Prishtinë, i cili tha se gjatë ofrimit të shërbimeve të ndryshme, përkujdesen që maksimalisht t’i respektojnë masat anti-covid, siç është bartja e maskës, higjienës dhe moslejimi i më shumë se dy klientëve në sallon: “Përveç këtyre masave, ne jemi përkujdesur që të jemi mjaft aktiv edhe në rrjete sociale, duke ofruar këshilla të ndryshme për të gjitha femrat, në lidhje me përkujdesjen në kushte shtëpie. Për shembull, ju kemi rekomanduar të përgatisin maska për flokë me vaj ulliri, vaj kokosi, ve dhe mjaltë. Po ashtu, mund të blejnë maska që janë të gatshme për flokë, të markave të ndryshme, si: Olaplex, Wella, Kerastase, Schwarckof, etj. Pothuajse për të gjitha maskat është procedura e njëjtë. I mban për gjysmë ore në flokë dhe pastaj i shpërlanë. Iu rekomandojnë që flokët mos t’i mbajnë lidhur gjatë tërë kohës edhe nëse qëndrojnë në shtëpi, sepse floku ka nevojë për ajrosje. Gjithashtu, ju rekomandojmë që ta leni flokun të thahet në mënyrë natyrale, në mënyrë që të mos dëmtohet.”
Sa i përket kujdesit ndaj lëkurës, ekspertë të bukurisë rekomandojnë që gjatë ditëve të karantinës ta lëmë lëkurën ‘të marrë frymë’, duke e mirëmbajtur atë më shumë me maska natyrale, që mund të përgatisim në kushte shtëpiake dhe duke lënë paksa anash produktet e shumta kozmetike.