Janë të shumtë njerëzit që flasin me dashuri të madhe për lidhjen e tyre të fortë me qentë, duke i cilësuar ata si shokët më besnik të tyre. Qentë janë edhe shumë argëtues për njerëzit, prandaj nuk janë të pakta manifestimet dhe garat e ndryshme që realizohen me ta.
Përkitazi me këtë garë, kryetari i Federatës Kinologjike të Kosovës, Saud Kajtazi, për Radio KFOR-in tregoi se gjatë vitit, kjo Federatë organizon 6 deri në 8 manifestime kinologjike dhe sipas tij, edicioni i radhës do të jetë shumë i veçantë:
“E veçanta e këtij edicioni është fakti se për herë të parë do të paraqitemi në Gjilan dhe kemi pjesëmarrës nga pothuajse të gjitha shtetet e Evropës, përfshirë këtu edhe Suedinë, Çekinë, Italinë, Rusinë. Mirëpo, kemi edhe garën speciale të grupit të 9-të, meqenëse qentë ndahen në grupe të ndryshme”.
Gjithashtu nga Z. Saud mësuam se Federata Kinologjike e Kosovës, për herë të parë organizon ‘Garën Ndërkombëtare me Qen’, e cila do të mbahet në Gjilan, nga data 4 deri më 5 Shtator 2018.
Përveç pjesëmarrësve nga shtete të ndryshme të Evropës, në këtë garë të qenve, mund të marrin pjesë edhe të gjithë ata që i duan dhe kanë simpati për qentë.