Qendra e Studentëve në Prishtinë, po vazhdon të jetë e mbyllur, pavarësisht faktit që në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë edhe zyrtarisht, më 1 tetor, ka filluar viti i ri akademik 2020/2021.
Zyrtarja për Informim në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, Shyhrete Abdullahu, për Radio KFOR-in, ka thënë se janë në pritje të një vendimi që do të lejonte hapjen e konkursit për pranim në konvikte: “Ne si menaxhment i kemi dërguar të gjitha të dhënat dhe kemi informuar organet përgjegjëse, si: MASHT, Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHPK-në për mundësitë e kapacitetet, strukturën e dhomave e banjove, në mënyrë që këto institucione të marrin një vendim të duhur. Qendra e Studentëve është duke bërë përgatitjet përfundimtare, të cilat kanë qenë të planifikuara për këtë vit para pandemisë, të gjitha projektet e planifikuara si në infrastrukturë, në konvikte dhe menzë. Qendra do të jetë e gatshme për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2020-2021, varësisht nga vendimet që do të merren.”
Mos-hapja e Qendrës Studentore ka vështirësuar mundësinë e ndjekjes së ligjëratave nga studentët, të cilët detyrohen të udhëtojnë nga komuna të ndryshme, në baza ditore. Për këtë, Radio KFOR-i ka kontaktuar studentin, Alban Murati, i cili aktualisht është duke vijuar studimet në Departamentin e Historisë në Universitetin e Prishtinës, i cili tha: “Do ta kemi të vështirë të udhëtojmë, për shkak të shpenzimeve më të larta dhe kohës që do na marrë udhëtimi. Po ashtu, kushtet për udhëtim nuk janë edhe aq të mira, meqë pandemia ka reduktuar edhe orarin e lëvizjes së autobusëve.”