“Dita Botërore e Vegjetarianëve” u shënua për herë të parë më 1 tetor të vitit 1977, nga Shoqata e Vegjetarianëve të Amerikës Veriore dhe u miratua nga Unioni Ndërkombëtar i Vegjetarianëve në vitin 1978. Shënimi i kësaj dite rritë ndërgjegjësimin për dietën vegjetariane, e cila parandalon shumë sëmundje, si: sëmundjet e zemrës, diabetin, kancerin etj.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka treguar se në 50-të vitet e fundit, 70 për qind e sëmundjeve globale janë transmetuar përmes kafshëve.
Por, sa duhet të jenë të kujdesshëm vegjetarianët për shëndetin, për Radio KFOR-in tregon, nutricionistja, Dhurata Halabaku: “Kohëve të fundit është duke u shtuar numri i vegjetarianëve, do të thotë se dita ditës njerëzit janë duke e konsumuar sa më pak mishin, mirëpo ata duhet të kenë shumë kujdes që trupi i tyre të ketë një ushqyerje të duhur përmes vitaminave dhe mineraleve nga produktet bimore.”
Dietat jo të shëndetshme janë bërë tashmë një faktor kryesor rreziku për sëmundje dhe vdekje në të gjithë botën. Ekziston një nevojë urgjente për të bërë dieta të shëndetshme dhe të qëndrueshme për një shëndet sa më të mirë.