Që nga fillimi i pandemisë, një nga dilemat më të mëdha që është ngritur ka qenë se kur një pacient konsiderohet tërësisht i shëruar nga ‘CoViD-19’.
Në lidhje me këtë çështje, Radio KFOR-i ka kontaktuar Infektologun, Arben Vishaj, i cili ka treguar se cilët parametra tregojnë kur një pacient është shëruar nga ky virus: “Një person me ‘Covid-19’ konsiderohet tërësisht i shëruar atëherë kur në aspektin mikrobiologjik, analiza është konfirmuar negativ dhe në aspektin klinik nuk manifeston simptoma të sëmundjes. Nuk konsiderohet i shëruar një pacient që ka testin dhe analizën me rezultat negativ, e në anën tjetër me aspektet klinike ka një gjendje të rëndë. Këta dy parametra duhet të jenë të plotësuara: vlera e analizës molekulare të jetë negative por edhe në aspektin klinik pacienti duhet të jetë në kufirin e normales, atëherë pacienti konsiderohet që është tërësisht i shëruar nga CoViD-19.”
Aktualisht, nëse dy testime radhazi për ‘CoVid-19’, në diferencë prej 24 orësh, dalin negative, atëherë pacientëve po u kumtohet lajmi se janë të shëruar nga ky virus. Megjithatë, raportet e OBSH-së tregojnë se pacientët mund të manifestojnë simptoma më të lehtë edhe disa javë pas shërimit nga virusi, siç është lodhja.