Nën organizimin e OJQ-së “Culturat” dhe Policisë së Kosovës, sot (08.09.20) nga ora 12:00, në sheshin “Skënderbeu”, u hap ekspozita e quajtur “Uniforma Blu gjatë Pandemisë Covid-19”.
“Përmes kësaj ekspozite do të pasqyrohet një pjesë e punës së Policisë së Kosovës”, kështu tha për Radio KFOR-in, drejtoresha e OJQ-së ‘Culturat’, Mihane Hoxha dhe më tutje theksoi: “Kemi filluar prej fotografive ku pasqyrohet shërbimi i Policisë së Kosovës gjatë periudhës së karantinimit, ku kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në Qendrën e Studentëve, pastaj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Kemi vazhduar me një pjesë të fotografive që pasqyrojnë misionin human të dhurimit të gjakut, pastaj kemi vazhduar tutje me fotografi që pasqyrojnë një bashkëpunim mes KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, ku në fakt kanë kryer patrullimin e përbashkët në komunën e Kamenicës. Pastaj kemi vazhduar me një pjesë të fotografive që është një aplikacion i policisë ‘Lajmëro Policinë’. Më tutje kemi edhe një pjesë të fotografive, ku Policia e Kosovës vërehet duke shpërndarë broshura të projektit “Bashkë kundër dhunës” dhe fotografitë e fundit që i kemi vendosur janë fotografitë e qytetarëve që ne i kemi quajtur ‘Falënderime përmes artit’.”
Hapjen e kësaj ekspozite e vlerësoi edhe Nënkolonel Basri Shabani, njëherazi edhe drejtor i Policisë në Bashkësi dhe Parandalim në kuadër të Divizionit për Siguri Publike, i cili enkas për Radio KFOR-in tha: “Këtë organizim e vlerësojmë shumë, kurse sa i përket aktiviteteve dhe punës policore atë më së miri e vlerësojnë qytetarët, ku Policia e Kosovës për ta është duke punuar ende me orar të zgjatur, 12 orë pa ndërprerje. Edhe më tutje ne i ftojmë të gjithë qytetarët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, sepse ne jemi të përkushtuar që në bashkëpunim me qytetarët të ofrojmë një ambient sa më të sigurt për të gjithë.”
Ekspozita “Uniforma Blu gjatë Pandemisë Covid-19”, e cila pasqyron një pjesë të punës dhe angazhimit të Policisë së Kosovës, do të jetë e hapur deri më 11 shtator 2020.