15 vajza dhe gra të të gjitha komuniteteve në Kosovë, janë bërë bashkë në projektin e quajtur “Fuqizimi i vajzave dhe grave në Kosovë të marrin pjesë në jetën publike dhe aktivitete sociale përmes ndërtimit të kapaciteteve dhe mbështetja e tyre të arrij pavarësi ekonomike”.
Drejtoresha e kësaj organizate ‘Forumi për Lidership dhe Diplomaci’, Njomza Emini , në një prononcim për Radio KFOR-in tregoi qëllimin e këtij projekti: “Qëllimi kryesor i projektit është fuqizimi profesional dhe financiar i vajzave dhe grave, duke iu ofruar atyre makina për qepje dhe materiale, nga të cilat përfitueset do përgatisin maska për mbrojtjen e qytetarëve nga pandemia Covid-19 dhe po presim që pas prodhimit të maskave që janë në kuadër të projektit, ato të vazhdojnë që të jenë aktive në vetëpunësim apo edhe të punësohen. Një komponentë jashtëzakonisht kryesore e këtij projekti është se ky projekt është multienik me vajza dhe gra nga të gjitha regjionet dhe komunitetet në Kosovë, po ashtu janë të përfshira vajza dhe gra të cilat janë të papuna, nënat vetë ushqyese dhe me aftësi të kufizuara. Ne u kemi dorëzuar si donacion makina dhe materiale përcjellëse për krijimin e maskave. Këto maska janë paraparë që të shpërndahen nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, kryesisht për të moshuarit dhe për personat që nuk kanë mundësi financiare t’i blejnë ato. Projekti në fjalë është në mbështetje direkte të Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, kështu që falënderoj Ambasadorin, z. Rastislav Kostilnik dhe zyrtaren Eva Havasiova për mbështetje.“
Znj. Emini tregoi gjithashtu se gjatë ditës së nesërme, maskat do t’i shpërndajnë edhe në strehimore në Gjilan dhe njësoj do të bëjnë në të pesë strehimoret në Kosovës , përfshirë këtu edhe shpërndarjen e maskave në strehimoren e grave të komunitetit serb në veri të Mitrovicës. Një pjesë e këtyre maskave është paraparë që këto vajza dhe gra t’i shesin ato, në mënyrë që të kenë një përfitim apo ndihmë financiare.