Që nga viti 1967, çdo vit, më 9 shtator festohet ‘Dita Ndërkombëtare e shkrim-leximit’, e shpallur nga UNESCO, në sesionin e 14-të të Konferencës së Përgjithshme të saj, me qëllim që të nxjerrë në pah rëndësinë e shkrim-leximit për individët, komunitetet dhe shoqëritë. Se ‘Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit’, nxjerrë në pah rëndësinë e shkrimit dhe leximit edhe në vendin tonë, e pohon poetja Ilire Zajmi, e cila në një prononcim për Radio KFOR-in, mes tjerash tha: “Shkrimi dhe leximi konsiderohen të jenë në nivel të ulët dhe janë dukuri shqetësuese. Si shoqëri duhet bërë më shumë, të luftohet analfabetizmi, të nxitet leximi përmes politikave kulturore tek moshat e reja në veçanti si dhe të bëhet mbrojtja e gjuhës me Kushtetutë. Vetëm nëse vendosim standarde si shoqëri, mund të ndikojmë në përmirësimin e shkrimit e të leximit. Konsideroj se shkrimi dhe leximi janë jetike për një shoqëri.”
Kriza globale ‘CoViD-19’ po vazhdon të ketë ndikim të madh në arsimimin e mijëra fëmijëve në të gjithë botën, prandaj UNESCO është duke punuar për të rritur kapacitetin e nevojshëm për t’u siguruar fëmijëve burimet e të mësuarit të nevojshëm, drejt arsimimit të tyre.